Kosova, përballë dilemave: Ratifikim i Demarkacionit, ose zgjedhje

29/08/2016 00:00

Kosova ka hyrë në javën e aktiviteteve politike, të cilat po përcillen me tensione e polemika të ashpra, rreth çështjes nëse Kuvendi duhet apo jo ta ratifikojë marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore dhe partive në pushtet vazhdojnë t’u bëjnë thirrje deputetëve ta ratifikojnë atë. Ndërkohë, udhëheqësit e opozitës thonë se deputetët po u nënshtrohen presioneve antikushtetuese dhe kërkojnë që marrëveshja të mos kalojë në asnjë mënyrë.

Analistët kanë parashikuar se, nëse Demarkacioni nuk kalon në Kuvend, Kosova mund të futej në krizë dhe të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Ndërsa nëse marrëveshja ratifikohet, parashikohen tensione të reja politike në raportet mes pushtetit dhe opozitës, sipas asaj që shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

Dilemave të ngritura nga opozita, se me marrëveshjen aktuale me Malin e Zi fqinj, Kosova humbet një territor prej mbi 8 mijë hektarë tokë, u është përgjigjur në disa raste kryeministri Isa Mustafa duke deklaruar të kundërtën.

“As unë dhe as qeveria nuk do të lejojë që qoftë edhe një pëllëmbë tokë e këtij vendi t’i falet Malit të Zi apo ndonjë tjetër vendi”, ka deklaruar Mustafa.

Me konstatimet e kryeministrit Isa Mustafa nuk është pajtuar në vazhdimësi opozita.

Kryetari i subjektit më të madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, Visar Ymeri ka paralajmëruar se deputetët dhe aktivistët e këtij subjekti politik do të protestojnë brenda dhe jashtë Kuvendit për të pamundësuar jetësimin e kësaj marrëveshjeje.

“Ata që duan të miratojnë Demarkacionin do të përballen me kundërshtimin e vendosur të qytetarëve. Demarkacionin duhet ta ndalim me çdo kusht dhe me çdo mjet demokratik”, ka thënë Ymeri.

E ndërsa opozita përpiqet ta pamundësojë ratifikimin e Demarkacionit, në Qeverinë e Kosovës flitet në vazhdimësi për pasojat e një veprimi të tillë. Kjo sepse ishte edhe vet Komisioni Europian, që e vendosi Demarkacionin si kusht për zbatimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku thotë se dështimi i mundshëm i ratifikimit të Demarkacionit nuk rrezikon vetëm liberalizimin, por edhe të ardhmen euroatlantike të vendit. Ai beson se deputetët i kanë sqaruar dilemat dhe do të votojnë “pro” ratifikimit.

“Në këtë proces nuk mund të ketë më dyshime, sepse ato që kanë qenë janë vërtetuar si të pabazuara. Tani është momenti i së vërtetës. Këtë vendim e kanë në duar deputetët e Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, duke dëgjuar deklaratat e tyre të fundit, mendoj që ka një gatishmëri pozitive nga pjesa dërrmuese e tyre që ta votojnë ratifikimin”, ka theksuar Çollaku për “Radion Evropa e Lirë”.

Nisur nga mungesa e komunikimit dhe mosmarrëveshjet ndërmjet pushtetit dhe opozitës, analistët politikë kanë vlerësuar në vazhdimësi se çelësi i zgjidhjes duhej kërkuar te bashkëbisedimi dhe gjetja e një konsensusi politik ndërmjet të dyja palëve. Por, udhëheqësia dhe i gjithë spektri politik, sipas analistit Imer Mushkolaj tashmë janë vonuar, e konsensusi duke i pamundur të arrihet.

Me gjithë tensionet politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës pritet që më 1 shtator të diskutojë dhe më pas të votojë për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje do të nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, apo 80 vota.

Top Channel