MTV Video Music Awards, 4 çmime për Beyonce

29/08/2016 00:00

Beyonce edhe një herë e tregoi veten se e meriton titullin e “Mbretëreshës së Popit”, që mediat ia kanë dhënë me shumë zemërgjerësi. Këngëtarja me zërin e fuqishëm dhe fytyrë të bukur mbizotëroi mbrëmjen e MTV Video Music Awards, ku rrëmbeu katër çmime, përfshirë dhe atë prestigjoz të videos më të mirë të vitit për këngën e saj “Formation”.

Jo vetëm që pushtoi mbrëmjen me marrjen e çmimeve të mëdha, por për 16 minuta këngëtarja e ngriu kohën në “Madison Square Garden” të Nju Jorkut, ku kërceu, këndoi e në një moment shpërthimi theu dhe një telekamerë me një shkop bejsbolli. 

Falenderimet e saj në ceremoninë që shpërblen muzikantët për përpjekjet e tyre vizuale, i shkuan bashkëshortit Jay Z dhe të bijës Blue Ivy. Nuk doli duarbosh nga mbrëmja edhe Rihanna, e shpërblyer me “Michael Jackson Vanguard Award”, e cila ka marrë duartrokitjet e publikut edhe për deklaratën e dashurisë nga Drake.

Ka qenë një mbrëmje e mbushur me fytyra të njohura edhe jashtë botës së muzikës ajo e djeshmja, ku nuk mungoi Michael Phelps apo Serena Williams, shumë elegante në veshje. Alicia Keys nderoi Martin Luther Kingun, ndërsa Kanye West, si gjithmonë i mbushur me veten, hoqi paralele mes tij dhe Steve Jobsit apo Walt Disneyt. E shoqja Kim Kardashian edhe në këtë rast qe një magnet për fotografët, ndërsa Britney Spears, edhe pse në formë, nuk pati shkëlqimin që shpresonte.

Top Channel