Turqia kërkon ushtarakët dezertorë. Kotzias-Cavusoglu takohen në Kretë

29/08/2016 00:00

Ndalesa e tij në Greqi, ku u prit nga homologu Nikos Kotzias, ishte edhe vizita e parë e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në një vend europian, që prej tentativës së dështuar për grusht shteti në muajin korrik.

Takimi u mbajt në ishullin e Kretës dhe vjen në kohën, kur Athina ende po mendohet për fatin e 8 ushtarakëve të arratisur turq, të cilët kërkojnë azil në Greqi. Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Ankarasë u larguan nga vendi i tyre pas dështimit të puçit të ndërmarre prej disa fraksioneve ushtarake, e tani Turqia kërkon ekstradimin e tyre.

“Kemi qenë të qartë që në fillim me palën turke, kur thamë se kjo çështje do të zgjidhet në gjykatat greke në bazë të ligjeve të vendit tonë dhe atyre europiane. Fillimisht duhet parë me saktësi cili ka qenë niveli i pjesëmarrjes së tyre në përpjekjen për grusht shteti”, tha Kotzias.

Personat në fjalë, 3 majorë, 3 kapitenë dhe dy kapterë, mohojnë çdo përfshirje në ngjarjen e 15 korrikut dhe, sipas avokatëve të tyre, ata druhen se kthimi në Turqi do t’u vinte jetët në rrezik. Edhe pse ky rast ishte kryefjala e takimit mes dy shefave të diplomacive, aty janë diskutuar edhe çështje të tjera si lufta civile e Sirisë, përpjekjet e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, si dhe bashkimi i Qipros.

Cavusoglu dhe Kotzias patën kohë gjithashtu të admironin bukuritë e ishullit, kërcimet tradicionale e të vizitonin gjithashtu shpellën e Dikteonit, një prej disa vendeve ku pretendohet të ketë lindur hyu më i rëndësishëm i mitologjisë greke, Zeusi.

Top Channel