Norcia në Itali, qyteza që mundi tërmetin

29/08/2016 00:00

Norcia është një qytet i vogël, i ndodhur në zonën qendrore të Italisë së goditur rëndë prej tërmetit 6.2 ballësh të 24 gushtit. Por, ndryshe nga Amatrice apo Accumoli, ku vazhda e shkatërrimeve ishte thuajse e përmasave apokaliptike, ajo nuk ka pësuar veçse humbje të vogla.

Dëmet materiale nuk janë të konsiderueshme dhe viktima nuk ka. Arsyeja përse Norcia, e ndodhur vetëm 16 km larg epiqendrës së tërmetit, nuk pati të njëjtin fat si fqinjët e saj është projekti i përforcimit të ndërtesave, i vënë në jetë disa dekada më parë, pas lëkundjeve 5.9 ballëshe të tokës në 1979-n.

“Tërmeti ishte shumë i fortë. Nuk do ta harroj kurrë. Zgjati goxha, ky ishte problemi, dukej sikur s’do të mbaronte kurrë. Gjërat nisën të binin në tokë, por banesa nuk u dëmtua. Ne e kemi përforcuar shtëpinë pas tërmetit të 1979-s. Godinat, që prej atëherë i janë nënshtruar një projekti antisizmik. Falë kësaj siç duket nuk patëm humbje jetësh, siç ndodhi në Amatrice dhe Accumoli”, tha Christina, banore e Norcias.

Forcimi i banesave do të kushtonte nga 150 deri në 330 dollarë për metër katrorë, një kosto kjo mjaft e lartë për disa nga familjet e zonës.

“Është shumë shtrenjtë për ne. Përforcimin do ta bënim vetëm nëse projektin e subvencionon qeveria, qoftë edhe sikur të heqë 40 apo 50% të shpenzimeve”, tha Milla Menza, banore.

Zyrtarët italianë kanë nisur një hetim, i cili do të fokusohet te strukturat e shembura pas tërmetit të së mërkurës.

Prokurorët publikë të zonës thonë se, do të hetojnë jo vetëm për faktin përse ndërtesat publike të ngritura kohët e fundit, përfshirë një shkollë të rinovuar në vitin 2012, nuk i rezistuan dot forcës goditëse të tërmetit, por ata kërcënojnë gjithashtu se do të ngrenë akuza kundër disa pronarëve, të cilët mund t’u kenë bërë ndryshime konstruksionit të shtëpive të tyre të lashta, duke shkelur kodet e sotme të ndërtimit dhe ato antisizmike.

Top Channel