Bruksel, 5 të arrestuar për shpërthimin te Laboratori i Kriminalistikës

29/08/2016 08:30

Policia belge ka bërë të ditur se ka arrestuar 5 persona në lidhje me shpërthimin e ndodhur mëngjesin e sotëm në Laboratorin e Kriminalistikës në Bruksel, që zyrtarët besojnë se ka pasur për synim shkatërrimin e provave mjekoligjore.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Ine Van Wymersch tha se një makinë kishte kaluar përtej gardhit, e në fund kishte shpërthyer duke shkaktuar edhe një zjarr masiv rreth orës 2 natës në kryeqytetin belg.

Fillimisht u raportua për një shpërthim të fuqishëm, por policia ende nuk e ka konfirmuar ekzistencën e një bombe në automjetin e futur në Laboratorin e Kriminalistikës. Van Wymersch tha se, me të gjitha gjasat, zjarri kishte për synim të shkatërronte disa prova brenda institucionit.

Shpërthimi i dëgjuar nga banorët përreth është shkaktuar ndoshta prej materialeve të djegshme që ndodheshin brenda ndërtesës, sesa një bombë, ka thënë ajo për “Associated Press”.

Ndërkohë, 5 personat e arrestuar u kapën pranë laboratorit vetëm pak çaste pas ngjarjes, tha Van Wymersch gjatë një konference për shtyp.

Në vendngjarje shkuan menjëherë 30 zjarrfikëse për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit që preku Institutin Kombëtar të Kriminalistikës, edhe pse mediet thonë se ndërtesa ka pësuar dëme të konsiderueshme por pa shkaktuar viktima.

Analizat mjekoligjore për çështje të ndryshme kriminale zhvillohen pikërisht në këtë laborator, megjithatë sipas “RTL”-së ai nuk ishte i vetmi i këtij lloji në dispozicion të policisë.

Instituti i pavarur, që është i lidhur me trupën federale të Drejtësisë, ndodhet në Neder-Over-Heembeek, një zonë periferike në veri të Brukselit.

Gjithsesi, niveli i alarmit ndaj sulmeve terroriste në Belgjikë mbetet ende i lartë, që prej shpërthimit të bombave në Aeroportin e Zaventemit dhe metronë e Brukselit, të marra përsipër nga i ashtuquajturi Shtet Islamik, që shkaktuan 32 të vdekur në muajin mars.

Top Channel