F1, Rosberg i pari në Belgjikë

28/08/2016 00:00

Ka rezultuar një fitore e thjeshtë në Belgjikë për Nico Rosberg, i cili rikthehet pas 4 garash te triumfi në Formula 1. Gjermani i Mercedes shkurton në 9 pikë diferencën me Lewis Hamilton i cili në Frankoshamps u ngjit në shkallën e tretë të podiumit falë aksidentit të Magnusen dhe ndërprerjes së garës.

Daniel Ricciardo vazhdon të mbajë Red Bullin në dy vendet e para në klasifikimin e përgjithshëm për konstruktorë. Pas Çmimit të Gjermanisë, australiani arriti të mbyllë në vendin e dytë edhe garën e Belgjikës duke bërë që diferenca mes skuadrës austriake dhe Ferrarit të shkojë në 22 pikë.

Një e diele për t’u harruar për dy “kokëkuqet” italiane të cilat ndryshe nga provat zyrtare zhgënjyen në garë. Vettel dhe Raikkonen u përplasën në kthesën e parë dhe nuk e ngritën më kokën. Gjermani e mbylli në vendin e 6 ndërsa finlandezi në vendin e 9.

Viti 2016 vazhdon të jetë një sezon i mallkuar për Ferrarin, skuadër e cila ka bërë shumë gabime, ka patur makina problematike dhe njëkohësisht i ka munguar dhe fati në disa rate.

U bënë katër gara radhazi që “kokëkuqja” nuk arrin të ngjitet në podium, tashmë Monza është mundësia më e mirë për t’u rikthyer mes 3 të parëve.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel