Protestë për kthimin e serbëve

28/08/2016 00:00

Serbët e nisur drejt Mushishtit në Suharekë nuk e vizituan dot fshatin ku kanë jetuar përpara luftës. Protesta e banorëve i ka detyruar të kthehen mbrapsht. Edhe pse rruga ishte liruar dhe siguruar nga policia, pas ngjarjes së orëve të para të ditës, ata nuk kanë pranuar më që ta çojnë deri në fund rrugëtimin e tyre.

Tre autobusë me serbë ishin nisur drejt Mushtishtit mëngjesin e sotëm, por banorët e fshatit reaguan ashpër ndaj mbërritjes së tyre për të marrë pjesë në një festë fetare. Ata nuk e kanë lejuar hyrjen e serbëve me pretendimin se duhet kërkuar fillimisht zbardhja e vrasjeve në fshat dhe sjellja para drejtësisë të atyre që kryen këto vrasje. Forcat speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërhyrë e i kanë shtyrë tubuesit për të liruar rrugën. Situata ka pasur momente tensionimi. Banorët thonë se serbët nuk duhet të shkojne atje pa kërkuar më parë falje për krimet e bëra ndaj popullatës shqiptare.

Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit pati edhe të arrestuar, edhe të lënduar. Ministri për Komunitete dhe Kthim i qeverisë së Kosovës, Dalibor Jevtiq, reagoi menjëherë duke thënë se përmes këtij veprimi po dërgohet mesazhi se serbët nuk janë të mirëpritur. Ndërsa ideja e protestës gjeti një përkrahës në qeverinë e Kosovës. Ministri i Financave, Avdullah Hoti u shpreh se krimet e kryera ndaj shqiptarëve duhet të zbardhen, por apeloi që tubimi të ishte paqësor.

Top Channel