Muzetë, në ndihmë të Amatriçes

28/08/2016 00:00

Fitimet e së dielës nga muzetë shtetërore në mbarë Italinë do të dhurohen për viktimat e tërmetit që rrafshoi pjesë të tëra të qendrës së vendit e mori 291 jetë njerëzish.

Shumë kisha e ndërtesa të tjera mesjetare u shkatërruan kur lëkundjet 6,2 ballëshe të tokës goditen Amatriçen e të gjithe rajonin qendror. Sipas ministrit të Kulturës, Dario Franceschini, 293 objekte të rëndësishme kulturore në zonën e prekur o janë shembur ose janë dëmtuar keqas. Për këtë arsye dhe i bëri thirrje italianëve që të vizitojnë këtë të dielë muzete dhe zonat arkeologjike në shenjë solidariteti me viktimat e tërmetit, të cilëve do t’u shkojnë të gjitha paratë e mbledhura në këtë mënyrë.

Apelit të tij i qëndroi dhe kryebashkiaku i qytetit që humbi më shumë se të tjerët nga fatkeqësia natyrore e së mërkurës. 235 prej viktimave regjistrohen atje. Sergio Pirozzi , kërkon rindërtimin e Amatriçes dhe kthimin e saj në lavdinë e dikurshme: “Ne duam ta kthejmë Amatriçen ashtu siç ishte atëherë, kur ata që humbën ishin ende këtu. T’i hyjmë punës për ata në radhë të parë sepse kjo është gjëja më e drejtë për t’u bërë. Do të jetë një mënyrë e mrekullueshme për t’i dhënë atyre njerëzve qetësi. Sakrifica e tyre nënkupton se u detyrohemi kaq”.
 
Qeveria italiane është kritikuar për mosparandalimin e vdekjeve pas tërmetit të Akuilas fqinje në vitin 2009, ku humbën jetën 300 vetë. Qyteteve historike atje nuk u duhet t’iu binden rregullave të ndërtimeve antisizmike, të cilat nuk aplikohen as tek ndërtesat e reja që ngrihen në këto zona. Pirozzi thotë se nuk do të reshtë së kërkuari ashpërsimin e rregullave të ndërtimit edhe për qytetet në fjalë. Ai apeloi për një Itali e cila të mos mburret se është e mirë në Kupën e Botës, Lojrat Olimpike apo gjatë emergjencave, por një Itali që të jetë në gjendje të garantojë standartet më të larta të mundshme të sigurisë për qytetarët e saj.

Top Channel