Turqi, policia lejon oficeret femra të vendosin shaminë

27/08/2016 00:00

Turqia ka shfuqizuar masën që u ndalonte grave në polici të mbanin shaminë islamike. Tani oficeret femra do të mund ta veshin atë poshtë kapeleve të tyre, ose beretave, me kushtin e vetëm që ajo të ketë ngjyrën e uniformës.

Për vite të tëra veshja është konsideruar kontradiktore në Turqi, me laikët që e shohin atë si simbol të konservatizmit fetar.

Faktikisht, që prej 1920-ës vendi ka patur një kushtetutë laike që nuk e përfshinte fenë, por në vitet e fundit opozita ka akuzuar presidentin Recep Tayip Erdogan dhe partinë e tij pro-islamike për Drejtësi dhe Zhvillim se është përpjekur t’i japë një tjetër interpretim laicizmit.

Sidoqoftë, opinioni publik, i dominuar nga myslimanë sunitë e ka pranuar shaminë si një shprehje të lirive individuale.

Deri tani, për këtë lëvizje të fundit të qeverisë së Ankarasë nuk ka pasur kundërshtime nga radhët e shoqërisë civile.

Presidenti Erdogan prej kohësh u ka bërë thirrje turqve që të shprehin hapur bindjet e tyre fetare, por nga ana tjetër ka thënë se mbetet i angazhuar për ruajtjen e laicizmit.

Në vitin 2010, universitetet e vendit hoqën dorë nga ndalimi zyrtar i hixhabit. Tre vjet më vonë, gratë u lejuan ta mbanin atë në institucionet shtetërore, me përjashtim të gjyqësorit, ushtrisë dhe policisë. Të njëjtin vit, gratë deputete e vendosën atë në Parlament.

Top Channel