Francë, krerët e bashkive nën presion për burkinin

27/08/2016 00:00

Rreth 30 kryetarëve të bashkive në Francë u është bërë thirrje që të zbatojnë vendimin e gjykatës që rrëzonte ndalimin e burkinit në qytetet turistike.

Gjykata e lartë administrative e Francës pezulloi ndalimin e veshjes në lokalitetin Villeneuve-Loubet ditën e premte, në bazë të lirive civile. Sidoqoftë, një numër i konsiderueshëm kryebashkiakësh kanë deklaruar se do të vazhdojnë të aplikojnë ndalimin e burkinit.

Avokati për të drejtat e njeriut që e çoi çështjen në gjykatë ka deklaruar se do të çojë edhe administratën e çdo qyteti në gjyq.

Vendimi i Këshillit të Shtetit e konsideronte ndalimin e veshjes në Villeneuve-Loubet një “shkelje serioze, të pastër dhe ilegale të lirive thelbësore”. Por autoritetet lokale në Nice, Frejus, si dhe në fshatin korsikan Sisco janë zotuar se do të vazhdojnë ta ndalojnë.

Duke iu përgjigjur vendimit, kryetari i Bashkisë së Volleneuve-Loubet, Lionnel Luca deklaroi: “Na duhet të vendosim nëse duam një version të qeshur dhe miqësor të ligjit të sharias në plazhet tona, apo duam zbatimin e ligjeve të Republikës”.

Ndërsa kryeministri Manuel Valls u shpreh në Facebook pro ndalimit të burkinit, duke e cilësuar përdorimin e asj si “afirmim të politikës islame në hapësirat publike”.

Top Channel