Në Dibër… për 2017. Miting‎u i opozitës, sërish mesazhi për Tiranën

27/08/2016 00:00

Ashtu si mazhoranca pak ditë më parë, edhe opozita organizoi të premten mitingun e fushatës për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Dibrës. Intensiteti dhe prania e lidershipit të djathtë ishte shenjë e përgatitjes së ethshme të Partisë Demokratike për të përdorur një rezultat pozitiv në Dibër, si parathënie e fushatës së zgjedhjeve politike të vitit 2017.

Lulzim Basha mbërrin ndër të parët në selinë e PD-së në Peshkopi. Është dita e çeljes zyrtare të fushatës për demokratët. Të shumtë janë deputetët demokratë të nisur nga Tirana një natë përpara mitingut për të mbështetur Sherefedin Shehun. PD-ja thotë edhe për të mbrojtur votën e tij.

Gjithçka është kuruar deri në detaje nga stafi politik dhe pak reflekton faktin se PD-ja është në opozitë. Banerat kanë pushtuar bulevardin e qytetit, ku fadromat e qeverisë vijojnë punën për ndryshimin e qendrës së qytetit. Ndërsa Forumi Rinor dhe simpatizantë mblidhen përpara degës së PD-së, mes tyre dhe ata që përfliten si grupimi “Azem Hajdari”, ata që do të ruajnë votën në 11 shtator. Mes tyre edhe ish-kryetari i bashkisë, Ilir Krosi, i cili humbi garën një vit më parë kundrejt Shukri Xhelilit.

“Ishte e drejta e qytetarëve të Dibrës që të votojnë prapë sepse vjet na e morën me tradhëti dhe presionin e shtetit”, u shpreh Krosi.

Sherefedin Shehu mbërrin aty pak minuta para mitingut. Emocionet e para i rrëfen për Top Channel: “Kam emocione se jam rikthyer në vendlindje dhe është detyrë e re për mua”.

Por, si i përgjigjet kritikave për rikthimin e tij të vonuar në vendlindje?

“Për pesimistët kam një përgjigje: Unë tani jam banor i Pëshkopisë, edhe formalisht”, thotë Shehu.

Gjithçka është gati për t’u nisur drejt Pallatit të Sportit. Lulzim Basha, ashtu si kryeministri Rama 3 ditë më parë, zgjodhi që bashkë me aleatët e tij dhe deputetët, rrugën ta përshkojë në këmbë. Bashkë me të, edhe ne. Si ka ardhur në Dibër, pas humbjes së vitit 2015?

Lulzim Basha përgjigjet: “Kam ardhur me shumë emocione. Do t’i japim fund maskarallëkut dhe do nisim një erë të re për të gjithë shqiptarët”.

Të tjerat zgjodhi t’i thotë në miting. Policia nuk ishte kujdesur të bllokonte trafikun për të kaluar demokratët, por për këtë mendoi siguria private e Partisë Demokratike.

Temperaturat e larta të këtij fundgushti i detyruan referuesit të mbanin fjalime të shkurtra.‎ Por Basha foli më gjatë se të tjerët. Ndoshta edhe si sfidë ndaj Ramës. Fjalimi i kreut të opozitës ishte 20 minuta, ai i Bashës zgjati 40 minuta.

Edhe Basha evitoi Shukri Xhelilin, shkaktarin e vetëm të këtyre zgjedhjeve të parakohshme dhe u fokusua te mëkatet e qeverisë në Tiranë. Edhe opozita, ashtu si mazhoranca duket e shqetësuar më shumë për mesazhin kombëtar sesa për mesazhin për dibranët. Atë ia kanë lënë vetëm Sherefedin Shehut.

Në krah të Lulzim Bashës në Dibër ra në sy prania e Besnik Mustafajt, i cili rikthehet pas shumë vitesh për t’u kujdesur për fushatën e Dibrës. Por, me çfarë roli vjen?

“Rikthehem me rolin tim, atë të një demokrati. Basha më ka ftuar në mënyrë sistematike, por sot kam ardhur vetë”, përgjigjet Mustafaj.

A shënon ky moment, rikthimin në politikë? “Unë do shkoj në Tiranë dhe deri për zgjedhjet e ardhshme, do kem kohë ta mendoj”, thotë Mustafaj.

Top Channel