Bisedimet për Sirinë, s’ka marrëveshje mes Rusisë e SHBA-ve

27/08/2016 00:00

Pas gati 10 orësh bisedime mes Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry dhe homologut të tij rus Sergey Lavror në Gjenevë, palët dështuan në arritjen e një marrëveshje për Sirinë.

Megjithatë kryediplomati amerikan tha për gazetarët se kishin bërë progres lidhur me rrugën që duhet ndjekur për rivendosjen e armëpushimit dhe përmirësimin e aksesit humanitar në Siri.

U bënë gjithashtu hapa të rendesishëm drejt përmirësimit të bashkëpunimi ushtarak dhe shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës. Bisedimet mes Kerry-t dhe Lavrov u përqendruan tek planet për t’i dhënë fund konfliktit 4-vjeçar në Siri.

“Ende nuk e kemi marrëveshjen që nevojitet. Duam të biem dakord mbi diçka që do të jetë vërtetë efektive e që do të funksionojë realisht duke e bërë rajonin më të qëndrueshëm dhe të sigurt”, tha Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se diplomatët rusë dhe amerikanë po planifikonin të takoheshin në Gjenevë gjatë ditëve në vazhdim në përpjekjen për hartimin e një draftmarrëveshje që do të çojë drejt një armëpushimi të qëndrueshëm.

E megjithatë dështimi në arritjen e një ujdie reflekton hendekun që ndan Uashingtonin dhe Moskën. Ndërsa Rusia po i siguron mbështetje ushtarake qeverisë së presidentit Bashkar al Asad, SHBA po mbështet grupet rebele që duan ta rrëzojnë Asadin.

Vendimi i fundit i Turqisë për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri ka nxjerrë gjithashtu në pah natyrën e konfliktit që vë përballë njëra tjetrës fuqitë rajonale.

Rusia i ka kërkuar vazhdimisht Amerikës të ndajë luftëtarët e moderuar nga ata të Frontit al Nusra që ka lidhja me Al Kaeden. Ndërkohë Uashingtoni nga ana e tij akuzon Rusinë se po shënjestrën qëllimisht luftëtarët e mbështetur nga Perëndimi.

Top Channel