PD: Milionat që Rama i jep Sadriut në një vit, çdo familje dibrane mund të merrte pagesë papunësie

27/08/2016 00:00

“Fatura e korrupsionit të Edi Ramës vetëm me tenderat që i jep Sadri Abazit për një vit është sa pensioni në qytet për 7055 persona, pensioni në fshat për 12 832 persona, sa 4811 paga minimale, është pagesa e papunësisë për 15 453 persona”. Kështu u shpreh të shtunën zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

“Është pra njësoj sikur çdo familje dibrane të marrë 68 mijë e 500 lekë në muaj pagesë papunësie, por që nuk i marrin, sepse i ndan Rama me Sadriun.Prej tre vitesh, me këtë skemë, pasuritë e buxheti i vendit shkojnë për Edi Ramën e kusarët e tij, për popullin mbetet varfëria, burgu ose emigracioni. Edi Rama i ka dhënë oligarkut të tij Sadri dhjetra tendera për një vit dhe ka pranuar ofertën e tij më të lartë në çdo rast. 12 miliardë lekë ka marrë Sadriu nga ministritë e bashkitë e Edi Ramës, ndërkohë që ofertat e tjera të skualifikuara merrnin përsipër t’i kryenin punimet me 11 miliardë lekë. 1 miliardë lekë është diferenca, është fatura e korrupsionit të Edi Ramës; 1 miliardë lekë që vidhen ende pa filluar punimet, para’ që do të kishin përmirësuar jetën e mijëra qytetarëve; 1 miliardë lekë Edi Rama mund t’i kishte kursyer duke lejuar garën e konkurrencën. Këto para’ mund të shkonin për zbutjen e varfërisë e krijimin e vendeve të punës. Po nuk është ky prioriteti i Edi Ramës”, deklaroi Zhupa.

Ajo shtoi se “prioriteti dhe zgjedhja e Ramës është ndarja e parave të shqiptarëve me Sadriun. Që Sadriu më pas të blejë vota. Që pushteti të mbahet me çdo kusht. Ky sundim i korruptuar e kriminal është në ditët e fundit. Qytetarët nuk do të mbajnë më në kurriz Edi Ramën me oligarkët e tij”.

Top Channel