Lufta me flakët në Shëngjin, era krijon vatra të reja

27/08/2016 00:00

Zjarret pranë Shëngjinit vazhduan edhe gjatë mesnatës me gjithë përpjekjet e zjarrfikësve dhe forcave të ushtrisë për t’i shuar.

Zjarret pushtuan tre ditë më parë zonën në disa vatra, të cilat edhe pse lokalizoheshin, për shkak të erës së fortë riaktivizoheshin në zona të ndryshme.

Gjatë paradites së të premtes, flakët kërcënuar fare afër edhe një kompleks turistik pranë zonës së “Rana e hedhun”, por me ndërhyrjen e forcave të ushtrisë të angazhuara në operacionet e shuarjes ato u lokalizuan.

Ndërkohë, pasditen e së premtes vatrat e zjarrit janë aktivizuar në kodrat pranë Shëngjinit, por edhe ato në Velipojë. Ndërhyrja është bërë nga ajri me anë të një helikopteri që me rënien e natës ndërpreu fluturimet.

Zjarrfikësit mbajtën nën kontroll gjithë zonën për të mos lejuar afrimin e flakëve në zonat e banuara. Vatrat e zjarrit në pyje janë, sipas Agustin Pepkolaj, shefit te repartit zjarrfikës në Lezhë, shtrirë në një gjatësi prej 4 kilometrash.

Zjarrfikësit bënë të ditur se operacionet e ndërhyrjes edhe nga ajri do të rinisin mëngjesin e së shtunës nëse zjarret do të zgjerohen akoma më tej. Deri më tani rezultojnë se janë djegur një sipërfaqe e madhe me pyje pisha dhe me shkurre.

Top Channel