Rumani, shkatërrohet rrjeti i prostitucionit; aktiv në 10 qytete të Britanisë

26/08/2016 00:00

Policia rumune ka bastisur një seri vendbanimesh në kuadër të një operacioni të përbashkët me policinë britanike dhe ka arrestuar 8 persona të dyshuar për drejtim të një rrjeti prostitucioni që vepronte në 10 qytete të Mbretërisë së Bashkuar.

Grupi rekrutonte gra të reja në moshë, u siguronte atyre dokumenta për udhëtim, strehim dhe mbrojtje fizike në Britani, ku ato angazhoheshin në aktivitetin e prostitucionit.

Prokuroria rumune deklaroi se, grupi ishte vendosur në Britani në vitin 2012 dhe kishte tërhequr një numër të madh klientësh përmes njoftimeve online.

Aktiviteti i prostitucioni ushtrohej në apartamente që grupi kishte marrë me qera në qytetet Portsmuth, Southempton, Noruiç, Kembrixh, Oksford, Ilford, Plajmauth, Ekseter, Kardif dhe natyrisht në Londër.

Prokurorët e çështjes deklarojnë se gratë e rekrutuara e dinin përpara se të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar se do të punonin në tregun e seksit dhe siguronin 50 për qind të përfitimeve nga shërbimet e tyre.

Konkretisht, autoritetet rumune kanë bastisur 18 vendbanime në rajonet Prahova dhe Arges, duke sekuestruar 5 automjete luksoze, mbi 18 mijë euro para kesh dhe kartmonedha të valutave të tjera, 52 kilogramë duhan, si dhe dokumente të falsifikuara identiteti dhe të llojeve të tjera.

Sipas agjencisë policore europiane, EUROPOL, 8 persona janë arrestuar ndërsa 7 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë.

Top Channel