Francë, gjykata pezullon ndalimin e burkinit

26/08/2016 00:00

Në të gjitha bashkitë ku është vendosur masa e ndalimit të burkinit nëpër plazhe, kjo masë nuk do të zbatohet, të paktën deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.

Një gjykatë franceze vendosi pezullimin e vendimeve të më tepër se 26 bashkive, kryesisht bregdetare, që ndalojnë shfaqjen me burkini nëpër plazhet e tyre.

Kërkesën për rrëzimin e këtyre vendimeve si të papajtueshme me ligjet dhe Kushtetutën franceze e bënë disa aktivistë të të drejtave të njeriut dhe shoqata anti-islamofobe në Francë.

Megjithatë, sondazhet tregojnë që një shumicë prej 64 përqind e francezëve mbështesin ndalimin e burkinit në plazhe dhe Kryebashkiakët që kanë vënë në fuqi këtë ndalim, thonë se po mbrojnë rregullin publik dhe laicitetin e shtetit, ndërsa myslimanët ankohen se po shënjestrohen me pa të drejtë.

Por ndalimi duket se po përçan edhe vetë qeverinë. Manuel Valls u përfshi për herë të parë në debat të enjten dhe doli hapur në mbështetje të kryebashkiakëve që kanë marrë një vendim të tillë, ndërsa ministrja e Edukimit, Najat Vallaud-Belkacem ka një qëndrim të kundërt me shefin e vet.

“Si grua nuk miratoj burkinit, por nuk mirëpres këto rregulla dhe kundërshtoj idenë se ato që vishen kështu në plazhe kanë lidhje me terrorizmin, grupe xhihadiste apo ISIS-in”, tha ajo.

Top Channel