Në zemër të vijës bregdetare shqiptare, plazhi i Tales shtrihet në një gjatësi prej rreth 12 km nga Kunja deri në Grykderdhjen e Matit. Nga një plazh krejtësisht i virgjër, Talja është zbuluar vetëm kohët e fundit nga pushuesit, që siç na thonë sipërmarrësit e zonës, në një ditë mund të jenë me mijëra.

“Mbizotëron qetësia, lokalet kanë ushqime vendase, pushuesit mund të gjejnë qetësinë dhe rehatinë në plazh sepse plazhi është i pastër”, thotë një pushues.

Strukturat akomoduese ekzistuese dhe lokalet apo baret janë të pakta. Ndryshe nga shumë plazhe të tjera në vend, këtu ato ruajnë distancën nga bregdeti duke e lënë të paprekur brezin ranor, edhe ky i shquar për sasinë e madhe të jodit me veti kurative. Në këtë kompleks me vila druri gjejmë një numër të madh pushuesish nga Kosova.

“Vijmë nga komuna e Malishevës dhe në plazhin e Tales pushojmë prej 10 ditësh. Kushtet për pushim janë ideale, nuk ka asnjë të keqe, asnjë vërejtje”, rrëfen një pushues nga Kosova.
Por sipërmarrësit e zonës e kanë një vërejtje.
 
“Jemi të zhgënjyer nga energjia elektrike, se çdo ditë në orë të ndryshme na fiken dritat dhe ne po punojmë me gjenerator në kushte mjaft të vështira, gjë që na i largon pushuesit”, ankohet sipërmarrësi Preng Lleshi.

30 minuta nga plazhi i Tales, këtu gjendemi  në Kune-Vain. Lagunën e ndan mespërmes lumi Drin dhe mbrohet nga agjencia e zonave të mbrojtura. Natyra e paprekur me pemë të larta është vendi ideal për tu clodhur, larg zhurmës së zonave të urbanizuara.

“Jam nga Spanja. Dua të shoh si është këtu dhe të gjej një plazh të bukur. Jam në kërkim të vendeve larg trafikut”, thotë një turist spanjoll.

Rezervati është i pasur me rreth 196 specie të ndryshme kafshësh dhe shpendësh të përhershëm dhe shtegëtar.

Top Channel