Konkurrencë në biznesin e vdekjes

26/08/2016 00:00

Shërbimet funerale, biznese të mira fitimi në këto kohë kur aksidentet, vrasjet, por dhe vdekjet natyrale janë rritur, kanë ashpërsuar egërsisht konkurrencën ndërmjet tyre.

Duke konsideruar si gjah të tyre pacientët që u drejtohen me urgjencë spitaleve, sekserë të këtyre shërbimeve qëndrojnë përreth spitaleve duke pritur viktimën e radhës.

Ata kanë krijuar lidhje me infermierë kryesisht të cilët nëpërmjet sms-ve informojnë këta sekserë për pacientët që humbin jetën kundrejt një shpërblimi.

Burime të Top Channel shpjegojnë se drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë ka marrë masa për ta frenuar këtë fenomen, duke bërë të detyrueshëm  në rastin kur pacienti humb jetën, kalimin e tij  në morg.

Transporti i pacientit bëhet nga personeli i QSUT. Por në momentin kur bëhet transporti i barrelës nis dhe negocimi i sekserëve me familjarët apo të afërm të pacientit, moment i cili ka bërë që në shumë raste sekserët të konfliktohen me njëri-tjetrin për të marrë klientin.

Konkurrenca ndërmjet shërbimeve funerale  bëri që një ditë më parë një autobusi të një agjencie funeralesh  në Rrugën Kongresi i Manastririt, pranë Spitalit të Pediatrisë, t’i vihej një sasi tritoli.

Fatmirësisht nga shpërthimi që ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit, nuk pati asnjë person të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Megjithatë, 28-vjeçari i arrestuar si autor i kësaj ngjarjeje ka dhënë një tjetër version përpara oficerëve të policisë.

Erion Duçka ka pranuar autorësinë e vendosjes së tritolit, por sipas tij për arsye hakmarrjeje pasi pronari i autobusit të agjencisë funarale i ofendonte vazhdimisht të atin, një ish-punonjës i Shërbimit Informativ i dëmtuar fizikisht në krye të detyrës.

Erion Duçka u arrestua vetëm pak minuta pas vendosjes së tritolit teksa po largohej me biçikletë, ndërsa ai ka kundërshtuar edhe punonjësit e policisë.

Top Channel