Rikonstruksioni i kopshteve. Veliaj: Na kanë mbetur edhe 7, gati për pak ditë

26/08/2016 00:00

Kanë përfunduar 16 kopshte së rikonstruktuari deri më tani kur kanë mbetur edhe pak ditë nga fillimi i sezonit të  ri. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inauguruar përfundimin e punimeve në një kopsht në Laprakë, i cili frekuentohet nga 120 fëmijë.

“Na kanë ngelur edhe 7 kopshte të tjera dhe mezi pres që t’i mbarojmë në kohë rekord. Besoj se deri në shtator, kur edhe shoqet e Fjonës të jenë kthyer nga pushimet, do t’i kemi mbaruar të gjitha kopshtet dhe për herë të parë po garantojmë që e njëjta cilësi që ekziston në një kopsht në Bllok, ekziston edhe në një kopsht në Laprakë, sepse të gjithë fëmijët janë njësoj”, u shpreh Veliaj.

Kopshti nr. 28 në zonën e Laprakës i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë, përfshi sistemimet e jashtme, këndin e lodrave, këndin e ujit dhe rërës, mbjelljen e bimëve, drenazhimin e ujërave të shiut, si dhe sistemimin e gjithë pjesës së pasme të godinës.

Gjithashtu, në ambientet e brendshme është sistemi hidraulik dhe sistemi elektrik, të cilët janë bërë nga fillimi, duke shmangur problemet që shkaktonin si me lagështirën, ashtu edhe energjinë në kopsht.

Veliaj premtoi të tjera investime në këtë njësi administrative: “Investimi i radhës në Laprakë do të jetë një investim prej 4 milionë dollarësh, i cili do të rehabilitojë pjesën më të madhe të urbanistikës së zonës, për t’u siguruar që sa të bukur e kemi kopshtin, po aq të bukur ta kemi edhe lagjen”.

Top Channel