“Champions”, zyrtarizohet merita historike, të mëdhatë me nga 4 skuadra

26/08/2016 00:00

Ideja për t’i dhënë një meritë historike shteteve më të mira të futbollit europian mori zyrtarizimin nga qeveria kontinentale e sportit më popullor në planet. UEFA ka njoftuar se formati i Ligës së Kampionëve do të ndryshojë nga sezoni 2018/2019, duke konfirmuar se ligat kryesore (Spanjë, Gjermani, Angli dhe Itali) do të kenë nga katër skuadra të kualifikuara direkt në fazën e grupeve në Champions.

Ky format i ri do të hyjë në fuqi nga sezoni 2018/2019. Nga këto ndryshime, duket se klubet italiane do të jenë fituesit e mëdhenj. Serisë A do t’i ofrohet që të ketë katër ekipe që hyjnë direkt në fazën e grupeve, krahasuar me tani që vetëm tre skuadra mund të luajnë në Ligën e Kampionëve.

Ndryshon gjithashtu dhe renditja e klubeve që do të kenë një peshë ekonomike të konsiderueshme dhe do të varet nga rezultatet prej vitit 1956, kur nisi Kupa e Kampionëve deri në vitin 1993 me nisjen e Champions, si dhe periudhat në vazhdim.

Premiot për klubet do të ndahen në 4 zëra të ndryshëm. “Market pool” që nga 40% zbret në 15%, tarifa fikse e pjesëmarrjes në 25%, rezultatet sezonale dhe rezultatet historike. Nga kjo marrëveshje çdo ekip që merr pjesë në fazën e grupeve do të përfitojë nga 12 milionë euro si bazë. Fituesi i Ligës së Kampionëve mund të fitojë rreth 100 milionë euro nga UEFA kur shtohen bonuset e tjera dhe të drejtat televizive sezonale.

Top Channel