Franca “skarton” mbrojtësin Patrice Evra

26/08/2016 00:00

Është vetëm një miqësore, por në lojë ka prestigj në ndeshjen mes dy kombëtareve më të njohura të futbollit europian. Trajneri i Francës, Didier Deschamps ka zyrtarizuar listën për 90 minutëshin e programuar në 1 shtator në Bari kundër Italisë, si dhe për sfidën e parë eliminatore të Botërorit 2018.

Në grumbullim bie në sy te nënkampionët e Evropës mungesa e mbrojtësit veteran Patrice Evra, një përjashtim të cilin trajneri nuk e cilësoi përfundimtar, por la të kuptohet se mosha e anësorit të Juventusit është një problem për të ardhmen. Deschamps nënvizoi se duhet të përgatisë një skuadër pretendente për të shkuar në finalet e Botërorit dhe sfida e parë pas mqiësores do të jetë në stadiumin e Minskut, ndaj Bjellorusisë.

Ka shumë konfirmime ndërkohë në grumbullimin e Francës dhe baza është ekipi që impresionoi në “Euro 2016”. Paul Pogba dhe Antoine Griezmman do të jenë me të gjitha gjasat titullarë, ndërsa rikthehen Raphael Varane, Kingsley Coman dhe Alexandre Lacazette, autor i 5 golave në vetëm dy javë kampionat me Lionin.

Surprizat e grumbullimit francez janë anësori Korshia i Lilës dhe Kurzaua i Paris Saint Germain.

Bëhet gjithashtu e ditur se do të ketë një kordon sigurie shtesë për të garantuar rregullin në stadiumin “San Nicola” në Bari për ndeshjen që përball Italinë me një komb që ka vuajtur së tepërmi plagën e terrorizmit në vitet e fundit.

Top Channel