Regjistrohen vatra zjarri në Shëngjin e Velipojë

26/08/2016 00:00

Ende nuk është vënë nën kontroll situata e zjarreve në Shëngjin. Erërat e forta dhe terreni i vështirë po vështirësojnë punën e zjarrfikësve, ndërsa ndërhyrja nga ajri ende nuk ka filluar.

Shefi i zjarrfikësve të Lezhës, Agostin Peplokaj sqaron se nga zjarri po rrezikohen edhe disa banesa, ndaj duhet ndërhyrje urgjente pasi situatë po vështirësohet.

Dy vatra zjarri shpërthyen një ditë më parë në zonën e Shëngjinit, duke djegur sipërfaqe të mëdha toke. Deri tani nuk raportohen dëme në njerëz ose bazë materiale. Policia e Lezhës pasditen e së enjtes arrestoi edhe autorin e zjarrvënies, Preng Përgjoni, 63 vjeç, banues në Lezhë, i cili kishte vënë qëllimisht zjarrin për ripërtëritjen e kullotave.

Ndërkohë, me dhjetëra hektarë pyje e shkurre janë përfshirë nga flakët pak pas mesnate në malin Kolaj, në zonën e Velipojës.

Aktualisht, vatra e zjarrit është mjaft  larg zonave të banuara dhe ndërhyrja e zjarrfikësve është e pamundur për shkak të terrenit.

Flakët e zjarrit janë duke u përhapur në drejtim të Majës së Zezë dhe era e fortë që fryn është duke ndihmuar në përhapjen e tyre.

Dyshohet që zjarri të jetë vënë qëllimisht për hapjen e kullotave të reja.

Top Channel