Finlanda ndaj Kosovës, “plas” Hetemaj, bojkoton nordikët

25/08/2016 00:00

5 shtator 2016 do të jetë një datë historike për futbollin e Kosovës me kombëtaren shqipfolëse që debuton në eliminatoret e një kompeticioni të përmasave të mëdha si Botërori i vitit 2018. Por kur duhen pak ditë nga hyrja e përfaqësueses së Bunjakut nga dera kryesore në futbollin ndërkombëtar, ka një çështje te rivalët e muajit tjetër.

Mesfushori i Finlandës Përparim Hetemaj ka surprizuar trajnerin dhe tifozët e kombëtares nordike pasi nuk ka pranuar të grumbullohet për sfidën, e cila do të luhet në stadiumin e Turkut. Tekniku Hans Bake që zyrtarizoi listën e lojtarëve të cilëve do t’i besojë për premierën e eliminatoreve, tha se e kuptonte plotësisht vendimin e futbollistit.

“Ne do të diskutojmë të ardhmen e tij në pak javë, pas ndeshjes së parë kualifikuese. Situata është shumë e vështirë për Hetemajn dhe duhet të respektojmë vendimin e tij të përkohshëm”, tha trajneri i kombëtares së Finlandës.

29-vjeçari Hetemaj u lind në Kosovë para se të emigronte në vendin nordik me familjen e tij si refugjatë.

Ai është aktivizuar në 42 ndeshje me përfaqësuesen e Finlandës dhe aktualisht militon te skuadra e Kievos në Serinë A. Hetemaj përflitet si një nga emrat cilësorë që do të luajë me Kosovën, por vendimi i tij përfundimtar është ende pezull.

Top Channel