Sarkozy kundër burkinit

25/08/2016 00:00

Ish-Presidenti francez Nicolas Sarkozy e ka quajtur veshjen e plazhit të grave myslimane si një provokim të hapur si edhe një mbështetje për islamizmin radikal.

Në vend është hapur një debat i nxehtë lidhur me këtë veshje. Imazhet e një dite më parë në Nisë, ku katër policë rrethuan një besimtare dhe e detyruan të hiqte veshjen e saj në plazh pasi në të kundërt do të gjobitej, ka zgjuar reagimin e organizatave të të drejtave të njeriut.

Një aktivist tha për televizionin shtetëror francez se projektuesit e këtij ligji kufizues, nuk dinë të respektojnë rregullat etike dhe morale të individëve. Ndërsa gruaja myslimane hiqte burkinin, njerëzit përreth duartrokisnin, ndërsa vajza e vogël e gruas shpërtheu në lot.

Një tjetër imazh që vjen sërish nga Nisë tregon forcat blu teksa janë duke vënë një gjobë një gruaje, e cila mesa duket nuk e zbatoi urdhrin e tyre.

Furtunën e kritikave, kryetari i bashkisë së Nisës nuk e pranoi. Ai tha se policia po i respekton maksimalisht qytetarët e saj, veçse nga ana tjetër po punon për t’u siguruar se dekreti po zbatohet me përpikmëri. Por Sarkozy, i cili ka shpallur hapur ambicien për  president vitin e ardhshëm, e ka rritur retoriken e tij ekstremiste, për të siguruar sa më shumë vota nga e djathta.

Nga ana tjetër, këshilli francez i Besimit Mysliman ka kërkuar bisedime urgjente me ministrin e Brendshëm, Bernard Cazeneuve, duke përmendur frikën në rritje të stigmatizimit të myslimanëve në Francë.

Top Channel