FIFA kujtohet pas 5 muajsh; Luksemburgu fiton 3-0 ndaj Shqipërisë

25/08/2016 00:00

Ishte një nga miqësoret e përzgjedhura për përgatitjen e kuqezinjëve për debutimin historik në europianin francez, një testim që Shqipëria e kaloi me sukses duke fituar 2-0 përballë Luksemburgut.

FIFA vonon, por nuk harron!

Në statistika, nga sot e tutje, ndeshje e zhvilluar më 29 mars 2016, do të regjistrohet si fitore 3-0 e Luksemburgut.  Shqipëria është ndëshkuar me humbjen e ndeshjes dhe një gjobë prej 7 500 frangash dhe gjithçka për një pakujdesi, ose mosnjohje të rregullores.

Komiteti i Disiplinës ka vlerësuar si shkelje të nënit 55 të rregullores së FIFA-s aktivizimin e një lojtari, që një ndeshje më parë, ndonëse miqësore, ishte ndëshkuar me karton të kuq. Bëhet fjalë për Ergys Kaçen, i cili u hodh në fushë me Luksemburgun, pavarësisht se ishte ndëshkuar me karton të kuq në miqësoren tjetër; atë ndaj Austrisë.

Për FIFA-n, rregullorja zbatohet njësoj, si në ndeshjet zyrtare, ashtu edhe në ato miqësore që luhen sipas kalendarit të përcaktuar prej saj.

Top Channel