Hetuesit e OKB: ISIS dhe Asad përdorën armë kimike

25/08/2016 00:00

Një ekip hetuesish ndërkombëtarë dolën në përfundimin se regjimi i Bashar al Asad dhe Shteti Islamik kryen sulme me armë kimike në Siri gjatë viteve 2014 dhe 2015.

Ekipi, i përbërë nga zyrtarë të OKB dhe Organizatën për ndalimin e armëve kimike akuzoi qeverinë siriane se ka përdorur gaz klorinë në të paktën dy sulme dhe Shtetin Islamik në të paktën një sulm.

Këshilli i Sigurimit i OKB krijoi një komision të përbashkët hetimi një vit më parë për të identifikuar përgjegjësit e sulmeve me armë kimike në Siri dhe ky komision hetoi 9 raste në 7 qyteza, ku dyshohej se ishin përdorur armë të tilla.

Komisioni tha se për tre raste përgjegjësit ishin të qartë, qeveri dhe Shteti Islamik. Për tre raste të dyta tha se dyshon për përgjegjësinë e regjimit Asad, por nuk ka prova bindëse, ndërsa për tre rastet e treta nuk ka asnjë provë.

Komisioni gjithashtu tha se nga dhjetori i 2015 e deri më gusht 2016, mori raporte nga shumë anëtarë të OKB për 130 raste të tjera të përdorimit të armëve kimike në Siri.

Bëhet fjalë për armë kimike me gaz sarin, gaz mustardë, gaz nervor VX, klorinë dhe kimikate të tjera. Shumë vende në OKB kanë kërkuar që të merren masa ndaj atyre që përdorin armë kimike dhe pritet që këto të diskutohen në mbledhjen e këshillit të sigurimit më 30 gusht, ku do të shqyrtohet ky raport.

Rusia ka vendosur gjithnjë veton ndaj sanksioneve të propozuara kundër regjimit të Asad, por Moska pranoi krijimin e komisionit dhe ekspertët thonë se nuk mund të shmangë përfundimet në të cilat hetuesit dolën.

Top Channel