Ofensiva turke, Ankaraja: Kurdët të tërhiqen

25/08/2016 00:00

Turqia kërcënoi me ndërhyrje të mëtejshme në veri të Sirisë nëse forcat kurde nuk tërhiqen në lindje të lumit Eufrat brenda një jave.

Një ditë më parë, forcat turke ndihmuan rebelët sirianë që të rimarrin qytetin kufitar Jarablus nga duart e Shtetit Islamik, ndërsa Ankaraja ka nisur një ofensivë ushtarake për të spastruar kufirin nga militantët.

Por, Turqia gjithashtu ka sulmuar forcat kurde në Siri, të cilat i konsideron gjithashtu armike, pavarësisht se edhe kurdët luftojnë kundër Shtetit Islamik.

Ministri turk i Mbrojtjes Fikri Isik nuk mund të ishte më i qartë për qëllimet e Ankarasë kur tha se operacion në dy synime, të sigurojë zonat kufitare dhe të garantojë që kurdët nuk janë aty.

Ankaraja druhet se kurdët në Siri mund të krijojnë në zonë autonome dhe të nxisin edhe më shumë ndjenja separatiste tek kurdët brenda territorit turk.

Raportohet se gjatë ditëve të para të ofensivës, tanke dhe mjete të blinduara turke kanë kaluar kufirin sirian disa herë për të marrë pjesë në luftime.

Ministri turk i Mbrojtjes tha se nëse forcat kurde nuk tërhiqen, Turqia ka të drejtë që të ndërhyjë. Më herët, edhe kryediplomati amerikan John Kerry, i kërkoi forcave kurde që të mos kalojnë në perëndim të lumit Eufrat, përndryshe do të humbin mbështetjen amerikane. Analistët mendojnë se kjo është një fitore e madhe diplomatike për Turqinë, e cila druhej se SHBA po vlerëson bashkëpunimin me kurdët ne Siri më shumë se sa aleatin e saj në NATO.

Top Channel