Bashkia e Tiranës u përgjigjet akuzave të PD

25/08/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka reaguar paraditen e së enjtes me një deklaratë për shtyp ku ka denoncuar “sulmet politike” me të cilat, siç thotë ajo, përballet çdo ditë.

Bashkia i referohet konkretisht sulmeve lidhur me incidentin e disa javëve më parë, ku një djalë i ri humbi jetën në fushën e grumbullimit të plehrave në Sharrë, për të cilin thotë:

“Institucionet përgjegjëse kanë bërë shoqërimet e të implikuarve, janë duke hetuar dhe shpresojmë që e vërteta e kësaj ngjarje të trishtë të zbardhet sa më shpejtë”, deklaron Bashkia.

Në reagimin e tij, ky institucion pretendon se, teksa është përgjegjës për vendosjen e rregullave, “çdo ofrues shërbimesh në qytet përgjigjet përpara ligjit për çdo shkelje të këtyre rregullave”.

“Ndaj, Bashkia e Tiranës ka qenë dhe vazhdon të jetë në krah të institucioneve ligjzbatuese, duke ofruar të gjithë ndihmën për një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje e vënë përpara përgjegjësisë cilindo kontraktor që nuk ka respektuar këto rregulla”, vijon deklarata.

Institucioni nënvizon më tej se, sikundër është shprehur edhe më parë, “në përfundim të hetimit do të zbatojë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim të organeve përkatëse”.

PD: Veliaj skllavëroi njerëzit në landfillin e Sharrës

Reagimi i Bashkisë së Tiranës erdhi pas një deklarate të mëhershme të sekretares së Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma, e cila, duke cituar një deklaratë të kryebashkiakut Veliaj, e akuzonte atë si përgjegjësin kryesor për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj.

““Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që sot e sigurojnë jetesën e tyre, duke ndërhyrë në koshat e bashkisë, që ta lënë atë punë të paligjshme, për të punësuar edhe 200 punonjës të tjerë, për ta çuar në 400. Ne mund të punësojmë pa fund njerëz që realisht duan të punojnë”. Këtë thirrje ka bërë Erjon Veliaj me 16 mars të këtij viti. Pra, lini punën e paligjshme dhe hajdeni në landfillin e Sharrës. Ardit Gjoklaj e shumë të tjerë iu përgjigjen kësaj thirrje. Po ajo çfarë gjetën atje, ishte një mashtrim i madh i Erjon Veliajt”, deklaroi Duma.

Sipas saj, “vdekja e Arditit dhe investigimi më tej i ngjarjes nga disa media tregoi se landfilli i Veliajt dhe kryetarit socialist të Peqinit ishte një ferr paligjshmërie”.

“Të mitur, burra e gra që punonin të pasiguruar. Shfrytëzoheshin edhe fëmijë deri në 10 vjeç. Shfrytëzoheshin me tre turne, në atë punë të rëndë e sfilitëse, për fare pak lekë. Me këtë thirrje publike, Erjon Veliaj e çoi drejt vdekjes Arditin”, theksoi Duma.

Në vlerësimin e përfaqësueses së PD, “Veliaj është padyshim përgjegjësi kryesor jo vetëm sepse administron landfillin”, që sipas saj është biznesi i tij, “por sepse i garantoi publikisht njerëzit për ligjshmëri”.

Duke i bërë thirrje prokurorisë që ta hetojë me seriozitet çështjen, Duma garantoi se PD do të kërkojë deri në fund drejtësi për Arditin dhe premtoi se, “drejtësi për Arditin do të ketë, sado të përpiqet Erjon Veliaj ta mbyllë këtë krim”.

Top Channel