Fëmijë të moshave të ndryshme për çdo të martë dhe të enjte paradite gjatë muajve të verës, marrin leksione të thjeshta pikture në Atelierin e Edukimit në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Kjo nismë shërben si një prezantim i parë me artin dhe pikturën duke u dhënë fëmijëve një edukim të përgjithshëm, pavarësisht nëse do të vijojnë apo jo rrugën e artit në të ardhmen. Çdo ditë, piktorët e vegjël mësojnë një teknikë të re.

“Sot ishte një temë interesante. Fëmijët kishin të bënin me bojërat pastel dhe mësuan stampimet. Është një prezantim i parë që u bëjmë me bojërat. Ata lyejnë duart ose objektet rreth tyre dhe i stampojnë. Mësojnë më shumë për përzierjen e ngjyrave, si të bëjnë nga 3 ngjyra bazë dhe ngjyrat e tjera”, thotë Elena Skënderi, praktikante.

“Është një ide dhe një projekt shumë i bukur. Fëmijët dihet që kanë shumë kohë të lirë dhe duhet të mendojmë si t’ua zëmë atë. Piktura, e në përgjithësi arti, është mënyra më mirë sepse duke u zbavitur ata mësojnë shumë gjëra të reja, komunikojnë me njëri-tjetrin. Fëmija im ka prirje në pikturë dhe dëshiroj që ta përkrah”, shprehet një prind.

Atelieri i edukimit do të vijojë në Galerinë Kombëtare të Arteve gjatë fundjavave edhe pas fillimit të shkollës.

Top Channel