PD: Rama, 790 milionë lekë Sadri Abazit për shkollën e Maqellarës

25/08/2016 00:00

Partia Demokratike ka vijuar këtë të enjte akuzat në drejtim të kryeministrit Rama dhe favorizimit që ai i bën, sipas opozitës, biznesmenit Sadri Abazi.

“Nuk ndalen tenderat që Edi Rama ndan mënjanë për oligarkun e tij Sadri, si këste për blerjen e votës në Dibër dhe pasurimin e tyre të metejshëm. Çdo tender është i vlefshëm për të marrë copën e radhës nga paratë e shqiptarëve për interesat klienteliste e të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht”, ka thënë Ina Zhupa.

Sipas zëdhënëses, “Sadriu i Ramës ka kapur së fundmi tenderin për ndërtimin e shkollës në Maqellarë, me vlerë totale prej 790 milionë lekë”.

“Edhe kësaj rradhe, si përherë me tenderat e Ramës për Sadriun, fiton oferta më e lartë, ajo e kompanisë së tij “Alko Impex”, me diferencë me ofertën më të ulet me 98 milionë lekë. 98 milionë lekë më shumë që i jepen njerit prej të dërguarve me punë votash në Dibër, Sadriut, në kurriz të qytetarëve”, ka thënë Zhupa.

Ajo ka theksuar se, “me këto para që ju përkasin qytetarëve mund të ishin paguar 1430 pagesa papunësie për dibranët dhe mund të kishin një punë me page minimale 445 pjestarë te familjeve dibrane”.

“Me këto para mund të merrnin pensionin e tyre për një jetë me pak më shumë dinjitet 652 pensionistë në qytet dhe 1.186 pensionistë në fshat. Por jo, asgjë nga këto nuk ndodh sepse Rama zgjedh t’i shpërdorojë paratë e qytetarëve duke ia dhënë oligarkut të tij me mision të veçantë. Ndërsa qytetarët do zgjedhin shumë shpejt që të përdorin votën e tyre për të larguar nga pushteti në Dibër e më pas në gjithë Shqipërinë të gjithë Ramët dhe Sadritë e tyre. Shqipëria do jetë më mire pa Edi Ramën”, ka shtuar Zhupa.

Top Channel