Shpërthen Zanetti: Handa e Icardi të luajnë futboll

25/08/2016 00:00

Javier Zanetti është dëgjuar pak të flasë, si në kohën kur ishte futbollist, por edhe tani që ka detyrën e zv/presidentit të Interit. Ikona e skuadrës zikaltër si rrallëherë ka shpërthyer në deklarimet e tij, duke kërkuar të rrëzojë edhe alibitë e ditëve të fundit për humbjen në Verona.

Dhe shënjestra e ish-kapitenit të Interit erdhi direkt për portierin Handanoviç dhe kapitenin Icardi, në takimin e drejtuesve zikaltër me tifozët.

“Nuk ka alibi për humbjen në Verona. As për kondicionin fizik të skuadrës. Shumë skuadra kanë bërë turne në Amerikë apo vende të tjera të botës dhe do të ishte më mirë që futbollistët të vazhdojnë të stërviten, pa kërkuar alibi në politikat e klubit ”, u shpreh Zanetti për deklaratat e Handanoviç se turnetë e kanë dëmtuar skuadrën.

Sa i përket zërave për largimin e sulmuesit Icardi, Zanetti u shpreh: “Rreth tij ka patur shumë lojëra mediatike, por klubi është shprehur qartë që është i pashtishëm. Për kontratën e tij do të flasim më vonë, Mauro duhet të përqendrohet në fushë dhe në detyrën e tij si kapiten”, deklaroi Zanetti.

Top Channel