Durrës, parandalohet vrasja, arrestohet ekzekutori

25/08/2016 00:00

Agjentët e policisë së Durrësit kanë arritur të parandalojnë një vrasje dhe kanë ndaluar personin që do ta kryente atë.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se në pranga ka rënë shtetasi Alfred Skonja, i cili sipas hetuesve kishte kryer të gjitha veprimet përgatitore për vrasjen.

Sipas burimeve, arrestimi i tij u krye pas një procesi mbajtjeje nën mbikëqyrje dhe hetimeve intensive.

Nga hetimet ka rezultuar se 29-vjeçari Skonja, në bashkëpunim me një person tjetër për të cilin po punohet për identifikimin, kishte përgatitur çdo detaj për kryerjen e ekzekutimit.

Pasi e ka mbajtur nën vëzhgim, policia deklaron se e ka dokumentuar të gjithë skemën kriminale të Skonjës, i cili sipas saj kishte planifikuar që pas krimit të digjte makinën.

Automjeti në fjalë, tip “VW” me targë “AA 029 MM” ishte vjedhur nga Skonja, por është gjetur mesditën e djeshme pranë lumit Erzen.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshje, kapele, kasketë, lëndë djegëse dhe të tjera, që do të përdoreshin në aktin e ekzekutimit, shtojnë burimet policore.

Pas arrestimit, materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit për procedim të mëtejshëm të 29-vjeçarit.

Top Channel