Kabul, 13 viktima nga sulmi ndaj Universitetit Amerikan

25/08/2016 00:00

Sulmi i armatosur ndaj Universitetit Amerikan në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, i ka kushtuar jetën 13 personave, 7 nga të cilët studentë. Dy agresorët u qëlluan për vdekje nga policia gati 10 orë pas shpërthimit që shënoi dhe fillimin e mësymjes së kompleksit universitar.

Më shumë se 700 studentë dhe punonjës u arrit të shpëtoheshin pasi mbetën të ngujuar për një kohë të gjatë nëpër auditore. Sulmi nisi mbrëmjen e së mërkurës dhe forcat e sigurisë ndërhynë menjëherë. Goditja, sipas zyrtarëve vendas, ishte “komplekse”.

Shumë nga studentët kanë mbyllur nga brenda dyert e klasave mësimore me banka e karrike. Në fund, disa prej tyre arritën të largohen nëpërmjet daljeve të emergjencës, ndërsa disa u hodhën nga dritaret. Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë e episodit të dhunës të cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si “sulm mbi të ardhmen e Afganistanit”.

Më herët gjatë këtij muaji, një profesor amerikan dhe kolegu i tij nga Australia u rrëmbyen në Kabul e vendndodhja e tyre edhe sot mbetet e panjohur. Universiteti i sulmuar u hap në vitin 2006 me mbështetjen amerikane.

Top Channel