Kthesa e vdekjes, rruga që mbjell vdekje në Kamëz

25/08/2016 00:00

Një grua e moshuar u aksidentua për vdekje paraditen e së enjtes në kryeqytet. Ngjarja ndodhi tek Ura e Institutit në zonën e Kamzës, ku 70-vjeçarja u përplas nga një kamion i tonazhit të rëndë teksa po tentonte të kalonte rrugën nga njëri krah në tjetrin.

Xhemile Ukdashi ndërroi jetë pak minuta pasi u transportua në spital si pasojë e plagëve të rënda të marra në trup dhe kokë.

Policia shoqëroi menjëherë drejtuesin e mjetit Xhevdet Çeza, si dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Paraprakisht dyshohet se e moshuara ka dalë befasisht në rrugë duke mos i dhënë mundësi reagimi drejtuesit të mjetit, i cili ka rezultuar edhe negativ sa i përket testit të alkoolit.

Dëshmitarë në vendngjarje thanë se ambulanca u vonua më shumë se 25 minuta, ndërsa një problem për ta në këtë zonë mbetet mungesa e sinjalistikës në rrugë për këmbësorët.

2 muaj më parë, në të njejtin aks, një tjetër këmbësor humbi jetën pasi u aksidentua nga një mjet foristradë.

Top Channel