Aksion në “zonën” e Tahirit; asgjësohen 30 mijë rrënjë

25/08/2016 00:00

Policia e Tepelenës ka asgjësuar deri më tani 250 mijë rrënjë hashash të gjetur në 160 parcela të ndryshme në të gjithë zonën.

Vetëm në zonën e Kalivaçit, policia gjeti dhe asgjësoi ditët e fundit, 14 mijë rrënjë në 6 parcela te ndryshme. Operacioni është realizuar nga 60 forca të policisë në bashkëpunim me përfaqësues të Guardia di Finanza, të cilët më herët kishin përcaktuar koordinatat e parcelave nga monotorimi ajror.

“Jemi në fshatin Kalivaç të rrethit të Tepelenës me mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ndihmën e kolegëve të Guardia di Finanza. Kemi ardhur në këtë fshat për verifikimin në terren të disa koordinatave të realizuara nga monitorimi ajror në bashkëpunim me kolegët italianë”, thotë Emilian Pashaj, shef i Komisariatit të Tepelenës.

Vetëm në një ditë, Policia e Tepelenës asgjësoi mbi 18 mijë rrënjë hashash, por ende po punon për gjetjen e kultivuesve të saj.

Tepelena është përmendur nga opozita si zona e lënë jashtë vëmendjes për të favorizuar kultivuesit e hashashit.

Aksione të ngjashme janë zhvilluar edhe në Dibër, Shkodër e Mirditë. Vetëm për këtë, vit policia deklaron se ka asgjësuar më shumë se 1 milion e 200 mijë rrënjë kanabis në mbarë vendin.

Top Channel