Shiu dhe breshëri mbulojnë Tiranën me ujë

24/08/2016 00:00

Një stuhi e fortë përfshiu pasditen e sotme një pjesë të Tiranës, duke shkaktuar përmbytje. Disa nga rrugët kryesore u bënë pothuajse të pakalueshme, ndërsa niveli i lumit Lanë në zonën pranë Pallatit me Shigjeta arriti në nivelin e rrugës.

Ujërat janë larguar nga rrugët, ndërsa raportohet për disa banesa ku është ende i pranishëm dhe ku po punohet për pastrimin. Ndërkohë, dëmet e shkaktuara janë të shumta.

Në disa zona ka patur edhe rrëzim të pemëve dhe shtyllave të ndriçimit për shkak të stuhisë, e cila zgjati pak miniuta por ishte shumë e fortë me shi dhe breshër.

Kryebashkiaku Erion Veliaj reagoi në rrjetet sociale duke thënë: “Natyrën s’e kontrollojmë dot, sidomos stuhi breshëri në gusht”. Ai falenderoi punonjësit e bashkisë që po punojnë për riparimin e dëmeve.

Veliaj tha se, “prapë disa reflektime vlejnë”. “Natyra po na kthen atë që i kemi bërë e na ndëshkon në mes të vapës me stuhi, ndaj le të mos ndërtojmë mbi lumë e kolektorë, le të mos zaptojmë çdo copë natyre të lirë, le të mos vendosim me tonelata qesesh çdo rrugë e bllokuar çdo zgarë”, u shpreh Veliaj.

Top Channel