Sulm Universitetit Amerikan në Kabul, shpërthime e të shtëna

24/08/2016 00:00

Një sulm terrorist është ndërmarrë ndaj Universitetit Amerikan në Kabul të Afganistanit. Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar dhe studentët janë strehuar brenda dhomave të ndërtesës, ku sipas të dhënave të fundit dëgjohen të shtëna armësh zjarri.

Drejtuesit e spitalit të emergjencave në kryeqytetin afgan kanë deklaruar se deri tani atje kanë mbërritur 5 persona të plagosur. Ndërsa autoritetet policore e kanë cilësuar ngjarjen si një ‘sulm kompleks’ dhe kanë dërguar forcat speciale.

Drejtori i universitetit, Mark English deklaroi për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se sulmi militant është ende në zhvillim dhe se, të gjithë po përpiqen të lehtësojnë situatën me se munden.

Sulmi filloi rreth orës 19:00 me orën lokale. Një student, i identifikuar si Ahmad Mukhtar tha për BBC se ndodhej 100 metra nga hyrja kryesore e universitetit kur dëgjoi “6 apo 10 të shtëna dhe një shpërthim të madh”.

Shpërthimi krijoi aq shumë dritë, saqë për një moment ndriçoi zonën përreth, shtoi studenti. Më pas u dëgjuan edhe të shtënat brenda kampusit, si dhe klithmat e studentëve. “U ngjita në një mur 6 metra të lartë për të shpëtuar”, deklaroi Mukhtar.

Top Channel