Tërmeti në Itali, Meta letër homologëve Boldrini dhe Grasso

24/08/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u ka nisur sot telegrame ngushëllimi kryetares së Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini dhe kryetarit të Senatit të vendit fqinj, Pietro Grasso, për tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti i rëndë.

“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal dëshiroj t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve dhe popullit italian për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti i ditës së sotme”, thotë Meta.

Kryetari i Kuvendit nënvizon në mesazhet e tij se, kjo tragjedi ka tronditur thellë edhe popullin shqiptar, “i cili në këto çaste të vështira edhe për të, ndodhet pranë popullit mik italian, pranë familjeve të viktimave dhe të dashurve të tyre”.

“Të gjithë anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë dhe unë personalisht qëndrojmë pranë jush dhe popullit mik italian në përballimin e dhembjes dhe të pasojave katastrofike njerëzore, morale dhe materiale të këtij tërmeti të tmerrshëm”, vijon më tej Meta.

Top Channel