Shehu: Rama varfëroi qytetarët dhe rriti taksat

24/08/2016 00:00

Kandidati për kryebashkiak të Dibrës, Sherefedin Shehu u takua këtët të mërkurë me banorë të fshatrave Tomin dhe Limjan. Shehu u njoh nga banorët me problematikat e shumta me të cilat përballen ata dhe me indiferencën totale të qeverisë.

Banorët theksuan se në këto 3 vjet jeta e tyre është përkeqësuar më tej, papunësia është rritur, varfëria është shtuar dhe po bëhet gjithnjë e më e pamundur sigurimi i bukës për fëmijët.

Zoti Sherefedin Shehu theksoi se e gjithë kjo situatë është për shkak të keqqeverisjes së kryeministrit Rama, i cili sipas tij kujtohet për qytetarët vetëm kur duhet t’u marrë votën.

“Shqipëria qeveriset nga një kryeministër që erdhi në pushtet me premtime për të zgjidhur hallet tona, por që po largohet duke na shtuar një thes me halle. Në Maqellarë dhe në fshatra të tjera, është dyfishuar tarifat e ujit të pijshëm. Pra, pa bërë asnjë përmirësim në shërbime, pa ofruar asnjë gjë më tepër duhet të paguash dyfishin. Cila është logjika? Ti nuk ofron shërbim dhe kërkon lekë. Prej kujt kërkon lekë?! Prej atij që është në skemën e ndihmës ekonomike?!”, tha Shehu.

Ai shtoi se, ndërsa shumica e fshatrave të Dibrës nuk kanë infrastrukturë rrugore, kur qytetarët vuajnë për bukën e gojës dhe janë në errësirë sepse nuk paguajë dot faturën e energjisë elektrike, Edi Rama u harxhon 870 milionë lekë për të zëvëndësuar asfaltin me pllaka në shëtitoren e Dibrës.

Top Channel