Maqedonia me tre shqiptarë në Shkodër

24/08/2016 00:00

Tre lojtarë me origjinë shqiptare do të luajnë me fanelën e Maqedonisë në Shkodër, sfidë e cila hap siparin e eliminatoreve të Botërorit, Rusi 2018.

Trajneri i kësaj përfaqësueseje Angelovski, ka grumbulluar 18 futbollistë për sfidën e 5 shtatorit ndaj Shqipërisë dhe mes tyre bien në sy Ferhan Hasani dhe Besart Ibrahimi të Shkëndijës dhe Agim Ibraimi, i cili luan me Astanën në Kazakistan.

Me sa duket shkëlqimi i Shkëndijës së Tetovës në Europë dhe forma e mirë që kanë treguar këta futbollistë e kanë detyruar teknikun e Maqedonisë t’i bëjë dhe ata pjesë të skuadrës maqedonase në sfidën kundër “Kuqezinjve” të De Biasit.

Në listën e Maqedonisë është edhe veterani i kësaj skuadre Goran Pandev, i cili është pjesë e Xhenoas, ndërkohë që për shkak të dëmtimit nuk do të jetë Aleksandër Trajvoksi, sulmuesi 23-vjeçar që luan te Palermo.

Top Channel