Kabina elektrike dhe të telekomunikacionit gjen rëndom në kryeqytet, në çdo rrugë të Tiranës, si një trashegimi e mobilimit urban, i cili në të shumtën e rasteve krijon ndotje vizive për shkak të posterave dhe reklamave të ndryshme që qytetarët ngjisin në to.

Piktorët e Bashkisë së Tiranës kanë marrë përsipër të ndryshojnë pamjen e kryeqytetit duke moderuar pamjen e tyre përmes artit.  Deri më tani janë 30 kabina elektrike që kanë ndryshuar pamje, ndërsa në total do të jenë rreth 150 të tilla në të gjithë qytetin.

Bota e fëmijëve ka marrë vëmendjen më të madhe në këtë projekt përmes filmave të animuar. “Angry Birds”, “Super Mario”, “Sponge Bob”, “Minions”, por edhe seriali për të rritur “Breaking Bad”; janë disa nga imazhet, përzgjedhja e të cilave është bërë në varësi të vendndodhjes së kabinës.

Sa u takon bojërave me të cilat po lyhen këto kabina, ato janë enkas për ambiente të jashtme, për t’i rezistuar kësisoj kohës, ndaj kreu i Dekorit në Bashkinë e Tiranës thotë se duhet vetëm bashkëpunimi i qytetarëve për t’i mbajtur ato sa më gjatë në kryeqytet.

Top Channel