Protestë kundër TAP për tokën. Kompania: Kemi kompensuar këdo që ka dokumente

24/08/2016 00:00

Banorët e fshatit Mujalli në Fier bllokuan për disa orë punën e mjeteve të gazsjellësit TAP si shenjë proteste ndaj mungesës së shpronësimeve të sipërfaqes së tokës dhe dëmtimit të kulturave të mbjella në të.

Ata thonë se zotërojnë dokumentacion të rregullt për pronën e tyre. Në total, janë rreth 50 familje që së bashku zotërojnë rreth 200 ha tokë çka është edhe mundësia e tyre e vetme financiare për të përballuar kostot e jetesës.

“Kemi më shumë se 20 vjet. Me shtetin jemi në rregull, por aktualisht na ka dalë tokë shtetërore. Na kanë prishur prodhimin, na e kanë mbuluar me dhe. Ku të shkojmë ne tani. Kemi fëmijë për të ushqyer”, shprehet një prej banoreve.

“Ne i kemi të gjitha dokumentet. Një hektar tokë që unë e kam këtu ma kanë prishur. Ku të shkoj unë tani!? Le të na vrasin, mua bashkë me fëmijët. Nuk kemi rrugë tjetër”, thotë një tjetër banor.

Gjatë protestës, banorët janë përballur edhe me uniformat blu, të cilat, pas debatesh të shumta, kanë shoqëruar në komisariatin e qytetit të Fierit 6 prej  tyre.

Top Channel u interesua pranë kompanisë TAP, e cila sqaroi ankesat e banorëve.

“TAP ka si detyrim të paguajë mbajtësin ligjor të titullit të pronësisë, në përputhje me procedurën e përcaktuar në legjislacionin në fuqi. Kushdo që ka vërtetuar nëpërmjet dokumentacionit përkatës pronësinë mbi tokën është kompensuar. TAP është në pritje të dokumenteve të pronësisë që përbën pjesën kryesore/thelbësore për nisjen e procedurës së kompensimit për marrjen në përdorim të përkohshëm të tokës. Po ashtu, TAP ka mbaruar procesin e evidentimit të përdoruesve të tokës në këtë zonë dhe ka filluar procesin e kompensimit të të mbjellave. TAP ka ngritur që në fillim të projektit Mekanizmin e Ankesave dhe kushdo që ka tilla mundet të paraqesë ato pranë TAP”.

Top Channel