Terreni i vështirë nuk ka penguar me mijëra besimtarë bektashinj, por jo vetëm të kryejnë pelegrinazhin e përvitshëm në nder të imamit Abaz Aliu. Në 2400 metër lartësi, shumë qytetarë kanë ngritur çadrat, për të qëndruar disa ditë në këtë vend të shenjtë.

“Kam katër ditë këtu për të festuar këto ditë të shenjta, jo vetëm për ne por të gjithë popullin shqiptar”, shprehet një prej besimtarëve.

“Ali Abazi erdhi nga Qerbelaja në Shqipëri…Dervish Iliazi ngriti Teqenë”, thotë Zalo Qato, gjyshata e Beratit.

Në tyrben e njohur si Cuka e Abaz Aliut e cila gjendet në majën më të lartë të malit, pelegrinët e Tomorrit luten dhe lënë sende personale pasi siç na rrëfejnë besimtarët, kjo u sjell mirësi. Rituali përsëritet edhe në vendet e tjera të shenjta, ndërsa këtu ndizet nga një qiri për njerëzit e dashur dhe familjaret.

 “Bëjmë kurban qengjin dhe si traditë hamë pak edhe ndajmë pjesë nga mishi”, shprehet një prej vizitoreve.

Gjatë ditëve të festës që nis me 19 e përfundon më 25 gusht, janë bërë 6700 kokë kurbani. Vendi i shenjtë ka mbledhur rreth 150 mijë pelegrinë, pa dallim feje.

 “Unë jam katolik por u bëj thirrje të gjithë të vijnë e të besojnë sepse unë jam besimtar”, thotë një italian.

E si për çdo feste fetare në vend, edhe në teqen e Dervish Iliazit gjejmë përfaqësues të të gjitha besimeve fetare që urojnë bektashinjtë dhe të gjithë shqiptarët.

“Është kënaqësi që në Shqipëri i festojmë bashkë festat. Uroj dhe bekoj të gjithë popullin shqiptar pa dallim feje”, shprehet  prifti ortodoks, At Stavër Cipi.

Top Channel