Në ferrin e tërmetit. Mediat: Kudo ka shkatërrim, njerëz të përgjakur

24/08/2016 00:00

Kur nisi të zbardhë dita, përpara syve të banorëve të tmerruar filloi të shfaqet e plotë vala e shkatërrimeve të tërmetit vrastar që gjunjëzoi rajonet qendrore të Italisë.

Rrëfimet për zëra fëmijësh që dëgjohen nga poshtë gërmadhave, janë rrëqethëse. Skenat e njerëzve që gërmojnë të dëshpëruar edhe me duar për nxjerrjen e të mbeturve nën rrënoja, përshkruhen me ngjyra të forta në mediat ndërkombëtare.

Të mbijetuarit flasin për skena apokaliptike në fshatrat pranë Peruxhas, kryeqendra e rajonit të Umbrias të mbushur me turistë, sidomos në këtë periudhë të vitit.

Nëpër rrugë sheh njerëz të gjakosur, sheh dhimbje e përhumbje. Ajo që nuk sheh është pamja e dikurshme e ndërtesave që ngriheshin në këtë zonë, e që sot, janë kthyer në një masiv të përhimtë pa formë.

“Nuk do të lëmë vetëm asnjeri”, premton Kryeministri Matteo Renzi. Prioriteti është kërkimi i të mbijetuarve, por nuk lihen pas dore edhe përgatitjet për emergjencat e mundshme të orëve apo ditëve në vazhdim.

Në Amatrice, një bllok i tërë godinash të vjetra të konsideruara si me pikantet e qytezës së vogël, është rrafshuar me tokën.

Vetëm një prej tyre arriti t’i mbijetojë tërmetit që ka zhdukur një sërë rrugësh piktoreske e dikur të qeta të tij. Nuk ka mbetur asgjë nga kalldrëmi që vishte qendrën e tij, vazot e varura me lule nëpër dritaret e shtëpive apo ndërtesat tipike të zonës. Amatrice me 2.600 banorë, është e njohur për traditën e hershme gastronomike dhe në 27 gusht duhet të mbante festivalin e saj të 50 të të famshmeve “spaghetti all-amatriciana”.

Top Channel