Mashtrim online biznesmenit, kreu blerje, por paratë u zhdukën

24/08/2016 00:00

Një biznesmen në kryeqytet ka rënë pre e një mashtrimi online duke pësuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm. Biznesmeni në fjalë, me iniciale I.A, e ka denoncuar rastin në drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka deklaruar se është mashtruar nga disa persona të panjohur, me një adresë e-maili të rreme.

Ai ka paguar shumën prej 10 mijë eurosh dhe 27 mijë dollarësh amerikanë për blerjen e disa mallrave nga kompania kineze “Shangai Elektrik”, por transferta bankare e destinuar për të paguar këtë faturë, është devijuar në mënyrë të paligjshme.

Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe ai Kundër Krimit Kibernetik kanë nisur hetimin për identifikimin e autorëve të këtij mashtrimi online.

Hetuesit po gjurmojnë destinacionin final të shumës së parave që ka paguar biznesmeni për të zbuluar autorët. Sipas informacioneve të para, specialistët e krimit kibernetik nuk përjashtojnë mundësinë që autorët e mashtrimit të jenë shtetas të huaj.

Top Channel