PD: Rama tjetër tender për Sadriun

24/08/2016 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Ina Zhupa, ka deklaruar se, “duke ndjerë humbjen e thellë të 11 shtatorit, Edi Rama ka vendosur të japë akoma më shumë nga  paratë e shqiptarëve Sadriut, që ai t’i përdorë për të blerë vota”.

“Vetëm dy ditë më parë Sadriu i Ramës ka marrë një tjetër tender në kundërshtim me ligjin prej 1.73 miliardë lekësh për rivitalizimin e hapësirave publike në zonën pranë Pallatit të Kulturës në Dibër. Oferta e kompanisë “ALKO Impex” ishte 220 milionë lekë më shumë se oferta më e ulët. Por, Edi Rama nuk do t’ia dijë për ligjin, nuk do t’ia dijë për lekët e shqiptarëve. Shqetësimi i tij i vetëm është që Sadriu të blejë sa më shumë vota në zgjedhjet në Dibër, ndaj dhe nuk ndalen tenderat korruptivë  për të”, deklaroi Zhupa.
 
“220 milionë lekë më shumë që Rama i fal Sadriut mjaftonin për të paguar 3170 pagesa papunësie për mijëra familje në gjendje të rëndë ekonomike në Dibër, mund të përdoreshin për të punësuar 987 dibranë me pagë minimale nga lista prej mijëra te papunësh në Dibër. Me 220 milionë lekë të korrupsionit Rama-Sadri, mund të paguheshin 1447 pensione mesatare në qytet ose 2632 pensione mesatare në fshat. Por, Edi Rama e ka treguar se nuk e ka prioritet qytetarin, e aq më pak dibranët që i urren dhe i përbuz. Ndaj dibranët ia bënë të qartë dje me braktisjen totale, se koha e Edi Ramës ka mbaruar”, shtoi zëdhënësja e PD-së.

Top Channel