PD: Shefi i krimeve të Mirditës, krahë Arben Ndokës për zgjedhjet në Dibër

24/08/2016 00:00

Sekretarit i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani doli në një deklaratë për mediat duke akuzuar edhe një herë Kryeministrin se po mobilizon banditë e kriminelë në fushatën elektorale të Dibrës.

“I braktisur nga dibranët dhe shqiptarët dhe përballë humbjes së thellë  të 11 shtatorit,  Edi Rama ka mobilizuar banditë e kriminelë dhe u ka vënë atyre në dispozicion oficerë të korruptuar dhe të kriminalizuar të policisë. Përkrah trafikantit të femrave Arben Ndoka, në fushatën elektorale të Dibrës, Edi Rama ka çuar, siç e shihni në këtë foto të publikuar nga mediat,  shefin e krimeve të Mirditës, Klajdi Osmani. Ky person i njohur si garant i trafikantëve të drogës në Mirditë,  është angazhuar në fushatën elektorale të Partisë Socialiste në Dibër. Ky fakt i zbuluar nga mediat, rikonfirmon se Edi Rama e ka bazuar të gjithë fushatën e Dibrës  tek bandat dhe kriminelët me të cilët e gënjen mendja se do të frikësojë dhe tjetërsojë vullnetin e zgjedhësve”, thotë Ristani.

Ai thotë se kriminel apo bandit me uniformë policie nuk mund t’i shmang humbjen PS-së këtë herë në Dibër.

“Por dibranët ia bënë të qartë vendimin e tyre dje, duke e lënë në vetminë e tij,  se mashtrimet me të cilat erdhi në pushtet nuk mund t’i mbulojë me asnjë trafikant, asnjë kriminel apo bandit me uniformë policie. Humbja e Ramës  është e pashmangshme sepse nuk ka mbajtur asnjë premtim ndaj dibranëve por i ka zhytur varfëri dhe pasiguri. S’ka bërë asnjë investim, s’ka hapur asnjë vend të ri pune, ka dhunuar dhe poshtëruar Dibrën dhe çdo dibran të djathtë e të majtë. E vetmja kontratë që ka Rama dhe kandidati i tij  është ajo me krimin. Por i ka bërë llogaritë gabim. S’ka kriminel, bandit apo trafikant që të ruaj pushtetin e Edi Ramës. Koha e tij ka mbaruar. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, përfundon deklarata e Ristanit.

Top Channel