Dibra, M.Rama: Zhvillim infrastrukturës urbane të zonës

24/08/2016 13:20

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Dibrës, Muharem Rama zhvilloi sot një takim me banorët e zonës së Bulkes, një prej lagjeve më të vjetra të qytetit të Peshkopisë. Rama shoqërohej në këtë takim nga drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë për Drejtësi, Integrim e Unitet për këtë zonë, të cilët u bënë thirrje mbështetësve të tyre të votojnë në 11 shtator për kandidaturën e Muharem Ramës.

Ndërkohë, vet kandidati Rama, duke iu drejtuar të pranishmëve, shpalosi disa prej planeve të tij konkrete për zhvillimin urban të kësaj zone dhe zgjidhjen e problemit të infrastrukturës rrugore e kanalizimeve.

“Jo rastësisht i nisëm takimet në këtë lagje, në një nga lagjet më të vjetra të qytetit. Do të bëjmë sistemimin e shkallëve. Në kuadër të projektit të madh që është nisur, unaza dhe pedonalja e Bashkisë Peshkopi, kemi një projekt konkret edhe për këtë lagje. Ky projekt do të gjejë zbatim shumë shpejt me fitoren e bashkisë. Do të sistemojmë rrugën e cila ka qenë në një gjendje mizerabël, do të mundësojmë lidhjen e kësaj rruge me unazën e madhe. Kjo rrugë do të bëhet me ndricim dhe standarde bashkëkohore. Do të sistemojmë edhe rrjetin e kanaleve të zeza, i cili aktualisht është tepër i amortizuar dhe problematik. Këto premtime ne do ti mbajmë dhe me fitoren e bashkisë do ti bëjmë të zbatueshme dhe do ti kthejmë në realitet”, u shpreh Rama.

Top Channel