Gadishulli korean, rritet tensioni mes fqinjëve

24/08/2016 11:00

Korea e Veriut lëshoi një raketë balistike nga një nëndetëse përballë bregut të saj lindor, duke tensionuar edhe më shumë situatën në rajon. Raketa KN11 u nis nga ujërat në afërsi të Sinpos dhe fluturoi për rreth 500km para se të binte në detin e Japonisë.

Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe tha se raketa ra në ujërat territoriale japoneze dhe akti i Koresë së Veriut është cilësuar si një papërgjegjshmëri e madhe. Testi i Koresë së Veriut bëhet ndërsa fqinjët e saj jugorë dhe SHBA kanë nisur stërvitjen e përbashkët ushtarake që zhvillohet çdo vit dhe që simulon një sulm nga Korea. Por, sipas Koresë së Veriut, kjo stërvitje është provë për pushtimin e saj dhe së fundmi paralajmëroi se tensioni po çon gadishullin korean drejt luftës.

Autoritetet komuniste në Pjongiang paralajmëruan me sulm bërthamor si raprezalje ndaj provokimeve të Jugut. Megjithëse OKB i ka ndaluar Koresë së Veriut që të testojë dhe përdorë teknologji raketash balistike, kjo nuk e ka ndaluar vendin komunist që të shkelë sanksionet e të vazhdojë programin e saj.

Sipas ekspertëve, testi i të mërkurës është më i suksesshmi i bërë deri tani nga Korea e Veriut, e cila gjithashtu po përgatitet për testin e saj të pestë bërthamor.

Top Channel