Juventusi me shpresë për Iscon

23/08/2016 00:00

Përfshirja e Asensios në formacionin titullar të Realit të Madridit ka nxitur interesimin e Juventusit për Iscon. Sipas mediave sportive italiane dhe spanjolle, “Bardhezinjtë” shpresojnë se në momentet e fundit të mërkatos Reali i Madridit do të pranojë transferimin e mesfushorit spanjoll në Torino.

Juventusi është i interesuar si për Iscon, ashtu edhe për James Rodriguezin, por kampionët në fuqi të Serisë A e kanë të qartë se kolumbiani nuk largohet nga kryeqyteti spanjoll pa 70 milionë euro në arkat e Los Blancos, shumë të cilën është i gatshëm ta paguajë Chelsea. Për këtë arsye torinezët janë përqëndruar vetëm te Isco, pasi çmimi i kartonit të tij nuk vlerësohet më shumë se 30-40 milionë euro.

Juventusi ka qenë shumë aktiv gjatë merkatos së verës dhe falë shitjes rekord të Paul Pogbasë te Manchester United, ka ruajtur edhe bilancin e hyrjedaljeve. Ka shpenzuar 157 milionë euro ndërkohë që ka arkëtuar 1 milion më shumë, çka i lejon që të bëjë edhe një sforco tjetër ekonomike për një lojtar cilësor.

Atlernativë është edhe Cuadrado, i ambientuar tashmë me “Bardhezinjtë”, por kartonin e tij e zotëron Chelsea dhe gjithçka varet nga vendimi i Antonio Conte. Alternativë janë gjithashtu edhe francezët Matuidi dhe Sissoko.

Top Channel